MË SHUMË INFORMACION MUND TË GJENI TE:
www.1177.se
www.eliquispatient.se
E keni marrë këtë broshurë pasi mjeku ju ka rekomanduar Eliquis® për të parandaluar trombet pas një operacioni për zëvendësimin e legenit ose të gjurit.
Eliquis® do të luajë një rol të rëndësishëm në shërimin tuaj duke parandaluar formimin e trombeve. Kjo broshurë shpjegon se funksionon mjekimi dhe ju jep disa mjete për ndihmesë gjatë kësaj periudhe. Duhet të lexoni dhe fletën informuese të paketimit në kutinë e mjekimin. Këtë mund ta gjeni edhe te www.fass.se. Informacion të mëtejshëm rreth trajtimit me Eliquis®, këshilla praktike dhe material informues mund të gjeni te www.eliquispatient.se
Fjala “venoze” tregon diçka që lidhet me venat (enët e gjakut që bartin gjakun mbrapsht në zemër). Trombi formohet kur një enë gjaku, që bart gjak nëpër trup, bllokohet nga një koagulë. Nëse trombi shkëputet nga vendi ku ishte formuar dhe ndjek gjakun derisa të ngecë në një enë tjetër gjaku më të ngushtë diku tjetër në trup, kjo quhet emboli.
Tromboza e venave të thella (DVT) është një tromb që krijohet në venat e thella të këmbëve që kalojnë përmes muskujve të pulpave dhe të kofshëve.
Tromboza e venave të thella mund të bllokojë tërësisht ose pjesërisht qarkullimin e gjakut të venës dhe të shkaktojë simptoma si p.sh. dhimbje, ndjeshmëri dhe ënjtje të pulpës. Ndonjëherë pulpa bëhet e ngrohtë dhe e kuqe, në raste të tjera nuk vihen re simptoma dhe DVT nuk diagnostikohet derisa të ndodhë ndonjë komplikacion, si p.sh. emboli pulmonare (tromb në mushkëri).
pulpa fryhet dhe ngrohet, ndonjëherë edhe skuqet ose çngjyroset
këmba mund të ndihet e rëndë
këmba ka dhimbje, veçanërisht gjatë ecjes dhe përdorimit të muskulit të pulpës
pulpa është e ndjeshme dhe e tensionuar kur shtypet
enët sipërfaqësore të gjakut në këmbë mund të jenë më të dukshme dhe të kenë ndjeshmëri
temperaturë e lehtë
Në rastet e embolisë pulmonare, një pjesë e trombit shqitet nga tromboza e venave të thella dhe bartet drejt enëve më të ngushta në mushkëri, dhe ngec atje. Kjo bëhet shkas për bllokimin e qarkullimit të gjakut në një pjesë të mushkërive. Simptomat e embolisë pulmonare janë dhimbja në kraharor, vështirësia në frymëmarrje, kolla ose therjet në anë të kraharorit gjatë frymëmarrjes. Nëse keni simptoma të tilla duhet të kontaktoni menjëherë me një ofrues të kujdesit shëndetësor.
Tromboembolia venoze (VTE) është një term që përfshin dhe trombozën e venave të thella, dhe embolinë pulmonare.
Trombet që formohen në venat e këmbëve ose legenit mund të zhvendosen dhe të barten me gjak dhe ngecin në mushkëri. Vështirësia e papritur në frymëmarrje, kolla apo therjet në anën e kraharorit kur merrni frymë mund të tregojnë se një tromb ka ndjekur gjakun nëpër mushkëri dhe ka ngecur diku atje.
Mpiksja e gjakut është një proces i natyrshëm që ndalon hemorragjinë. Lëvizja e muskujve të këmbëve ndihmon në prapashtytjen e gjakut mes venave të thella të këmbëve drejt zemrës për të ruajtur një qarkullim normal të gjakut. Nëse gjaku fillon të qarkullojë më ngadalë nëpër vena, mund të mpikset dhe të krijojë trombe. Kjo ndodh më shpesh gjatë periudhave të reduktimit të lëvizjes, si p.sh. gjatë dhe pas një operacioni. Rreziku i trombeve të tilla rritet gjithashtu pas një operacioni madhor, duke qenë se aftësia e gjakut për mpiksje rritet kur trupi përpiqet të ndalojë humbjen e gjakut dhe të shërojë enët e gjakut që janë dëmtuar gjatë operacionit.
Qëndrimi pa lëvizur, duhanpirja dhe të qenit mbipeshë janë disa nga faktorët që mund të rrisin rrezikun e pësimit të trombeve. Rreziku i trombeve mund të reduktohet me mënyrat e mëposhtme:
Lëvizje të këmbëve: Fizioterapisti do t’ju japë një program ushtrimesh që duhet të kryeni pas operacionit. Me ushtrimin e muskujve të këmbëve ndihmoni në ruajtjen e një qarkullimi normal të gjakut në venat e thella. Shtriqini këmbët dhe përthyejini sa më shpesh të keni mundësi. Më e mira është të ngriheni në këmbë dhe të ushtroheni duke u ngritur në majë të gishtave nëse keni mundësi.
Pesha: Nëse jeni mbipeshë, do të ishte mirë të ulnit peshën.
Duhani: Evitoni pirjen e duhanit.
Inhibitorët e trombeve (antikoagulantët): Këto mjekime ulin aftësinë e gjakut për t’u mpiksur duke ulur kështu dhe rrezikun e trombeve. Disa agjentë jepen në formë injeksioni, ndërsa të tjerë merren si tableta apo kapsula.
Eliquis® përdoret te pacientët e rritur për parandalimin e formimit të trombeve pas një operacioni për zëvendësimin e legenit ose të gjurit.
Eliquis® përmban substancën aktive apikzaban dhe i përket një grupi mjekimesh të quajtura antikoagulantë (inhibitorë trombesh).
Eliquis® ndihmon në parandalimin e formimit të trombeve duke bllokuar një prej substancave që shkaktojnë koagulimin e gjakut (faktori Xa).
Eliquis® duhet ta merrni gjithnjë saktësisht sipas udhëzimeve të mjekut tuaj. Konsultohuni me mjekun ose farmacistin nëse nuk jeni të sigurt.
Për trajtimin parandalues të trombozave në lidhje me një operacion zëvendësimi të legenit ose të gjurit, doza e zakonshme për Eliquis® është një tabletë 2,5 mg dy herë në ditë, për shembull një në mëngjes dhe një në mbrëmje. Mundohuni t’i merrni tabletat në të njëjtën orë çdo ditë.
Tabletën Eliquis® duhet ta gëlltisni siç është duke e pirë me një gotë ujë ose mund ta thërrmoni dhe ta përzieni në ujë. Mund ta merrni me ose pa ushqim. Tabletën Eliquis® s’prish punë nëse e mbani një kuti organizimi pilulash.
Kohëzgjatja e trajtimit varet nga lloji i operacionit që keni kryer. Ndiqni gjithnjë udhëzimet e mjekut. Mos e ndërprisni marrjen e mjekimit pa jua thënë këtë mjeku juaj. Tregojini gjithnjë mjekut, dentistit apo infermieres se jeni duke marrë Eliquis®.
Nëse harroni të merrni një dozë të Eliquis®, merreni tabletë sa më shpejt kur të kujtoheni. Në vijim merreni tabletën e radhës së Eliquis® në orën e zakonshme dhe prej aty vijoni normalisht. Nëse nuk jeni të sigurt, pyesni mjekun ose farmacistin tuaj.
Flisni menjëherë me mjekun nëse keni marrë më shumë se doza e rekomanduar e Eliquis®. Merreni kutinë e medikamentit te mjeku edhe nëse nuk kanë mbetur tableta brenda. Nëse merrni më shumë Eliquis® se sa rekomandohet, keni rrezik të shtuar për hemorragji.
Sigurohuni t’i tregoni mjekut se nëse jeni duke marrë mjekime të tjera, duke përfshirë mjekimet pa recetë dhe me bazë bimore (p.sh. hypericum perforatum). Disa medikamente dhe suplemente mund të ndërhyjnë në efektin antikoagulant të Eliquis® dhe ose rrisin rrezikun e hemorragjisë, ose e bëjnë barin më pak efikas. Një listë të plotë të mjekimeve që mund të ndikojnë tek Eliquis® e gjeni në fletën informuese të paketimit në kutinë e medikamentit.
Nuk duhet të merrni Eliquis® nëse jeni shtatzënë, ushqeni me gji apo keni sëmundje të mëlçisë apo ndonjë sëmundje hemorragjike. Kësisoj, ju lutemi t’i tregoni mjekut tuaj nëse u përkisni rasteve të tilla.
Ashtu si të gjitha mjekimet, Eliquis® mund të japë efekte anësore.
Mund të lexoni më shumë rreth efekteve anësore në fletën informuese të paketimit që vjen në kutinë e medikamentit.
Eliquis®, ashtu si barna të tjera inhibitore të trombeve, rrit rrezikun e hemorragjisë, duke përfshirë dhe rastet e rënda që kërkojnë kujdesin imediat mjekësor.
Efekte të tjera anësore janë mavijosja, gjaku në urinë (që e ngjyros urinën në rozë ose të kuqe) ose rrjedhje gjaku nga hunda. Mund të keni edhe të përziera. Nëse keni hemorragji të papritur, duhet të kontaktoni mjekun ose infermieren tuaj.
Suksese me shërimin tuaj!
Eliquis® i përket një grupi medikamentesh të quajtura antikoagulantë (hollues gjaku). Ky medikament ndihmon në parandalimin e formimit të trombeve duke bllokuar faktorin Xa, i cili është një komponent i rëndësishëm në mpiksjen e gjakut. Substanca aktive tek Eliquis® quhet apikzaban. Eliquis® ofrohet në formë tabletash me membranë doze 2,5 dhe 5 mg. Eliquis® ërdoret tek të rriturit: 1. Për të parandaluar formimin trombeve (trombozë e venave të thella, DVT) pas operacionit të artikulacioneve të legenit ose të gjurit. 2. Për të parandaluar formimin e trombeve në zemrën e pacientëve me ritëm të parregullt kardiak (fibrilacion atrial) dhe të paktën një faktor rreziku më shumë. Trombet mund të shkëputen dhe të barten në tru duke shkaktuar goditje në tru, ose drejt organeve të tjera duke penguar qarkullimin normal të gjakut në to. 3. Për të trajtuar trombet në venat e këmbës (trombozë e venave të thella) dhe në enët e gjakut të mushkërive (emboli pulmonare) dhe për të parandaluar rishfaqjen e trombeve në enët e gjakut të këmbëve dhe/ose të mushkërive. Mos përdorni Eliquis® nëse: jeni alergjik ndaj apikzabanit apo ndonjërit prej përbërësve të tjerë në këtë medikament; keni ndonjë hemorragji aktive; keni sëmundje në një organ të trupit që rrit rrezikun e hemorragjisë së rëndë (si p.sh. ulcera aktive ose të kohëve të fundit në stomak apo zorrë, hemorragji cerebrale të kohëve të fundit); keni sëmundje të mëlçisë që sjell si pasojë rritjen e rrezikut të hemorragjisë (koagulopati hepatike); jeni duke marrë ndonjë medikament për të parandaluar trombet (p.sh. varfarinë, rivarokzaban, dabigatran ose heparinë), përveç kur e ndryshoni vetë trajtimin me antikoagulantë; apo nëse keni kateter venoz apo arterial dhe jeni duke marrë heparinë për ta mbajtur të hapur, apo nëse futet një gyp në venë (heqje e kateterit) për të trajtuar një ritëm të çrregullt kardiak (aritmi). Flisni me mjekun, farmacistin ose infermieren tuaj para se të merrni këtë medikament: nëse keni një sëmundje të rëndë të veshkave ose jeni në dializë, nëse keni aktualisht apo keni pasur probleme me mëlçinë, nëse keni valvulë artificiale kardiake ose nëse e dini që keni një sëmundje të quajtur sindromë antifosfolipide (çrregullim i sistemit imunitar që rrit rrezikun e formimit të trombeve). Për informacion të plotë rreth Eliquis®, lexoni me kujdes fletën e paketimit që shoqëron kutinë (shikoni dhe www.fass.se).
Bristol Myers Squibb, 08-704 71 00. Pfizer AB, 08-550 52 000.
Versioni 4
432SE2100916-01, 432SE2008250 PP-ELI-SWE-1621 OCT 2020